Industria premtuese e dronëve

Rritja e interesit në përdorimin e droneve lidhet me nevojën e shfrytëzimit në maksimum të resurseve, kapaciteteve njerëzore dhe burimeve natyrore, për të reduktuar sa më shumë pasojat negative ekologjike dhe globalizimit pothuajse total të ekonomisë së planetit.

Dronët kanë hyrë në fjalorin e përditshëm kur flasim për teknologjitë më inovative. Ajo që deri para disa vitesh konsiderohej si një industri me pak perspektivë në fushën e biznesit, ose si “science fiction” dhe e paarritshme, është tashmë në qendër të interesit të investitorëve, programeve qeveritare dhe publikut.

Jo vetëm përparimi i teknologjisë së përpunimit të të dhënave, si bazë për krijimin e algoritmeve të nevojshme për fluturimin pa pilot UAS (Unmanned Aircrafr System) ose shkurt dronët, por sidomos nevojat në rritje për rezultate dhe efikasitet për shumë sektorë të ekonomisë, po e nxisin përfshirjen e dronëve në programet e ekosistemit ekonomik, me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë.

Dronët lindën nga projekte ushtarake, ku synimi kryesor ishte dhe është reduktimi në minimum i përfshirjes së drejtpërdrejtë të njeriut në taktikat e luftimit, si dhe rritjes në maksimum të shpejtësisë. Efikasiteti shumë i lartë në arritjen e rezultateve, do të bëjë që dronët, nesër të jenë pjesë e shumë industrive. Ata po përdoren në fusha dhe biznese premtuese në sektorin civil, duke ndikuar dukshëm në ndryshimin dhe përshtatjen edhe të modeleve të biznesit.

Rritja e interesit në përdorimin e droneve lidhet me nevojën e shfrytëzimit në maksimum të resurseve, kapaciteteve njerëzore dhe burimeve natyrore, për të reduktuar sa më shumë pasojat negative ekologjike dhe globalizimit pothuajse total të ekonomisë së planetit. Avancimet e shumë teknologjive inovative, ku është investuar në shuma të mëdha, si në telekomunikacion, Inteligjencën Artificiale, kompjuterëve kuantikë, në hapësirë dhe navigacion, dhe në burimet e energjisë, kanë krijuar bazën e nevojshme për përfshirjen e dronëve në portofolin e shumë programeve, qoftë gjeostrategjike, qeveritare, në kërkime shkencore dhe startup-e të shumë fushave.

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ekonomia e lirë e tregut mundëson një diversitet të pafund idesh dhe teknologjik, edhe Bashkimi Europian, pas shumë diskutimeve me të gjitha palët e interesuara, e ka përfshirë teknologjinë e dronëve në pjesën më të madhe të programeve të tij, duke investuar në forma të ndryshme për nxitjen dhe përkrahjen e çdo nisme, që promovon përdorimin efikas të dronëve.

Me përshtatjen dhe ratifikimin së fundmi të rregullores për UAS, duke i konsideruar si një aset i përbashkët i të gjithë anëtarëve të BE-së, janë krijuar edhe bazat e para të fuqishme ligjore për të mundësuar nismën e lirë për zhvillimin dhe përdorimin e çdo lloj zgjidhje, bazuar në përdorimin e dronëve.

Duke filluar nga viti 2023, hapësira ajrore e BE-së do të menaxhohet me teknologji dhe metoda të reja për të harmonizuar trafikun ajror, jo vetëm për avionët e drejtuar nga pilotë, por edhe për dronët e kategorive të ndryshme. Kjo do të hapë një mundësi të paimagjinueshme për shfrytëzimin e kapaciteteve teknologjike të dronëve, në shërbim të industrisë, lëvizjes së lirë të mallrave, ruajtjes së mjedisit e shumë efekteve që do të duken shumë shpejt.

Kriza e paparashikueshme e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, ishte dhe mbetet një nga problemet më të vështira të njerëzimit, me pasoja shumë të thella negative për jetën e banorëve të planetit dhe ekonominë globale në përgjithësi. Por, si çdo krizë, edhe kjo ka hapur mundësi të pamenduara më parë, për përdorimin e dronëve dhe aplikacioneve të lidhura me to.

*Adrian Haxhiaj, konsulent në fushën e Telekomunikacionit dhe UAS

Anëtar dhe bashkëpunëtor i Shoqatës së UAS në Gjermani UAVDACH (www.uavdach.org). Anëtar i shoqatës më të madhe në SHBA AUVSI (www.auvsi.org)

/Monitor