Itali, fillon Samiti i Liderëve të G20 në Romë

Në kryeqytetin e Italisë, në Romë, filloi Samiti i Liderëve të G20 i cili bashkon përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe liderët e 20 ekonomive më të fuqishme të botës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Hapja e Samitit në qendrën e Kongreseve Nuvola në Romë të Italisë e cila ka Presidencën e radhës së G20, u zhvillua me pritjen e të ftuarve nga kryeministri italian Mario Draghi.

Përfshirë edhe presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kryeministri Draghi priti të ftuarit një nga një.

Draghi dhe të ftuarit më pas pozuan për fotografinë familjare.

Liderët në ditën e parë të Samitit do të mblidhen me sesionin me temë “Ekonomia Globale dhe Shëndetësia Globale”.

Në Samit do të diskutohen rimëkëmbja ekonomike në periudhën e pandemisë, fushata e vaksinimit dhe zhvillimet më kryesore lidhur me periudhën e pandemisë.

Për shkak të Samitit në Romë janë marrë masa të gjera së sigurisë. Një pjesë e konsiderueshme e lagjes EUR ku mbahet Samiti është mbyllur për trafikun civil. Në Samit janë mobilizuar rreth 5.300 forca sigurie.

Në anën tjetër një grup i të rinjve aktivistë ambientalistë, në orët e mëngjesit zhvilluan aktivitetin e uljes në rrugë duke bllokuar trafikun në bulevardin “Kristofor Kolombo” një nga arteriet kryesore që lidh qendrën e qytetit me lagjen EUR ku mbahet Samiti.