‘Keni pasur kohë mjaftueshëm’, seanca për shkarkimin e gjyqtares Hoxha, Metani refuzon kërkesën e avokatit

Ka nisur seanca për shkarkimin e gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, pas kërkesës së Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.

Avokati i Hoxhës ka kërkuar pezullimin e procesit, për shkak se klientja e tij duhet të jetë në seancë në mënyrë që të paraqesë provat, dhe arrestimi i saj ka bërë që ato të mos grumbullohen në kohë.

Mirëpo kërkesa e avokatit mbrojtës të Hoxhës nuk është pritur mirë nga ana e përfaqësuesit të ILD-së Artur Metani i cili është shprehur se elementët mund të paraqiten dhe nga vetë avokati, pa qenë e nevojshme prania e gjyqtares.

Metani: Nuk jam dakord për shtyrjen. Procesi i rregullt ligjor përfshin edhe mbrojtjen nga avokati. Elementët e procesit të rregullt ligjor përmbushen me prezencën e avokatit.

Sa i takon kohës që kërkohet për t’u njohur me faktet, dua të kujtoj se hetimi ndaj magjistrates ka nisur më 16 korrik 2020, pra prej asaj date magjistratja është ajo njohur me dokumentet që ILD kishte në dispozicion dhe magjistratja ka patur mundësi e kohë për mbrotjen. Edhe avokati ka patur kohë sepse është caktuar më 27 janar.

Sa i takon marrëveshjes që përmendi avokati, unë nuk kam asnjë propozim zyrtarisht. Kur ta kem do e shqyrtoj edhe pse Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i qartë për këtë cështje.

Pas këtyre pretendimeve KLGJ është tërhequr për këshillim, dhe në vijim pritet të mbahet dhe një qendrim ku do të komunikohet vendimi që është marrë. Gjatë ditës së djeshme KLGJ vendosi për pezullimin nga detyra të gjykatëses Hoxha, pas arrestimit të saj me kërkesë të SPAK.