Komisioni i shkarkimit të Metës, Braho: Janë rreth 40 postime me përmbajtje fyese e denigruese…

Këtë të hënë, Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Metës, është mbledhur sërish. Krahas provave filmike të marra nga deklaratat e Presidentit në studiot televizive, para dhe gjatë fushatës, deputeti Edmon Stojku, anëtarë i komisionit, sugjeroi që të përfshihen në hetim edhe pretendimet e mediave në lidhje me lëshimin e nënshtetësive...

Këtë të hënë, Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Metës, është mbledhur sërish. Krahas provave filmike të marra nga deklaratat e Presidentit në studiot televizive, para dhe gjatë fushatës, deputeti Edmon Stojku, anëtarë i komisionit, sugjeroi që të përfshihen në hetim edhe pretendimet e mediave në lidhje me lëshimin e nënshtetësive.

Ai kërkoi që të bashkëpunohet me Presidencën, për të marrë të gjithë volumin e nevojshëm të këtij aktiviteti. Nga krahu tjetër, kryetari i komisionit, Alket Hyseni, tha se një kërkesë e tillë pikë së pari duhet të paraqitet në Kuvend, e nëse atje konfirmohet, mund të ndërmerret edhe një akt i tillë.

Ndërkaq, anëtari tjetër i komisionit, Spartak Braho, i cilësoi përmbajtjet filmike të Presidentit nga studiot televizive dhe postimet në rrjete sociale, si denigruese e fyese, e në kundërshtim të plotë sipas tij me ligjin.

Alket Hyseni: Ka ardhur një letër, një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, ku paraqitet një korrespondencë e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është gjykuar e nevojshme për faktin që nëse ka ndërhyrje të institucionit të Presidencës në këtë komision kushtetues.

Edmond Stojku: Ka shumë kohë që diskutohet mënyra e dhënies së nënshtetësisë nga Presidenti i Republikës. Rasti i Presidencës lituaneze për këtë proces, them që në provat të shtohet edhe kjo pikë, që ka qenë temë e nxehtë për të paktën dy vitesh. Duhet të kërkojmë bashkëpunimin e Presidencës që të na vendosin në dispozicion këto shkresa dhe të shohim nëse ka shkelje.

Alket Hyseni: Kërkesat duhet të paraqiten në Kuvend. Ne mund t’i drejtojmë një kërkesë Presidentit të Republikës. Nëse Komisioni e çmon, i kërkojmë një kërkesë ekstra Presidentit, ku t’i kërkohet volume i punës në lidhje me nënshtetësisë, por kjo është në diskutim.

Klotilda Bushka: Në planin e hetimit, thuhet qartë që Presidenti i Republikës ka kryer akte para dhe gjatë fushatës elektorale, akte që shkelin Kushtetutën. Ai ka folur edhe gjatë ditës së heshtjes zgjedhore.

Spartak Braho: Vrojtova me shumë kujdes të gjitha deklarata e presidentit, në mediat elektronike dhe postimet personale që ka bërë në rrjete sociale. Janë rreth 40 postime me përmbajtje kriminale, totalisht në kundërshtim me ligjin, komplote, fyerje ndaj funksionarëve shtetërore dhe ndërkombëtar. Këto janë konstatime të presidentit. Pyetja shtrohet. A i është drejtuar Presidenti ndonjë organi shtetëror, ligjzbatues, për t’ia paraqitur këto denoncime. Në dijeninë time jo, por kjo duhet hetuar. Nuk mund të hedhësh akuza, respekto organet ligjzatuese, janë ato që ndjekin, arrestojnë. Çështja është, ka akuza të tilla, ka denoncime në organet ligjzbatuese. Kjo është një pyetje që duhet ndjekur.