Kosova synon ta zvogëlojë administratën publike me 30 për qind

Kryeministri Hoti, në një tryezë në Qeverinë e Kosovës me temë “Reforma e administratës publike: “Shtytja e saj përpara”, tha se janë në fazë të ndërmarrjes së veprimeve konkrete sa i përket reformës administrative

Reduktimi i barrës në administratën publike rritë efikasitetin, kursen paranë publike si dhe e bën Kosovën më të konkurrueshme me rajonin dhe më gjerë, theksoi kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një tryezë diskutimi mbi reformën në administratën publike, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Hoti, në një tryezë në Qeverinë e Kosovës me temë “Reforma e administratës publike: “Shtytja e saj përpara”, tha se janë në fazë të ndërmarrjes së veprimeve konkrete sa i përket reformës administrative.

Reduktimi i barrës administrative, që shkaktohet nga kërkesat e tepërta të informacioneve të detyrueshme ligjore, të cilat prodhojnë jo-efikasitet në administratë, shërbime të dobëta, numër të madh të rasteve në gjykata, do të jetë sipas Qeverisë së Kosovës faktor i rëndësishëm për stimulimin e zhvillimit ekonomik pas krizës së shkaktuar nga COVID-19.

“Vlerësimet preliminare që i kemi prezantuar vazhdimisht janë që reduktimi i barrës administrative dhe rritjes së efikasistetit të institucioneve, do të na mundësojnë ne që të kursejmë para publike, shpenzime publike, të ulim kostot e qytetarëve dhe bizneseve në interaksion me shtetin dhe të rritet ekonomia, GDP-ja e vendit, në mënyrë të konsiderueshme por mbi të gjitha të bëhemi konkurrentë me vendet në rajon dhe më tutje”, tha Hoti duke shtuar se rëndësi të veçantë ka këtu edhe rritja e llogaridhënies institucionale karshi qytetarëve.

Ideja e reformës së administratës publike sipas Hotit është që fillimisht të zvogëlohet numri i Agjencive, prej mbi 40 sa janë gjithsej, për të ardhur tek një numër i rekomandueshëm, si dhe “të zvogëlohen në masë të madhe ligjet dhe udhëzimet e ndryshme administrative dhe rregulloret e ndryshme”.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ka thënë se zvogëlimi për 30 për qind do të ndodhë për shkak të neglizhencës që ka ndodhur në administratë për vite me radhë dhe për shkak se lista e institucioneve të krijuara kanë humbur efikasitetin.

“Konstatimi im i parë është që kurrë nuk do të ketë reformë të suksesshme që nuk prodhon dhimbje. Ne kemi marrë disa tema të cilat mendoj se janë të rëndësishme të potencohen këtu. Ky program ka për qëllim të shërbejë në realizimin e përfitimeve që kanë qytetarët duke zvogëluar për 30 për qind barrën administrative. Ne e kemi përfunduar ligjin për qeveri dhe e kemi dërguar te komisioni i Venecias”, ka thënë ai, duke shtuar se në administrate janë të punësuar 82 mijë persona.

Kreu i zyrës së Bashkimit Evropian(BE) në Kosovë, Tomas Szuyog, tha se BE mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në reformën e administratës publike, e cila është shumë e rëndësishme për integrimin evropian. Ai vlerësoi se ky proces kishte progres gjatë vitit 2019, por që nuk kishte asnjë ndryshim gjatë vitit 2020.

Ambasadori Szuyog gjithashtu shprehu shqetësim në lidhje me vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, për të cilin ai tha se tregon nevojën për të ndarë më mirë dhe me më shumë kujdes detyrat në praktikë dhe për të arritur bashkëpunim ndër-institucional.

Tryeza e rrumbullakët përfshiu gjithashtu një raport nga organizata joqeveritare Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan, ku u prezantua rrugëtimi ndër vite i reformës në administratën publike.