Kosovë, Isa Mustafa njofton dorëheqjen nga pozita e kryetarit të LDK-së

"Ajo që është reale është se unë do të tërhiqem dhe së shpejti Kuvendi i LDK-së do ta zgjedhë kryetarin e ri", tha Isa Mustafa...

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka dhënë dorëheqje nga pozita drejtuese e kësaj partie, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një konference për media, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, dorëheqjen e ka bërë të ditur vet Mustafa, i cili dorëheqjen e tij e lidhi me rezultatin e keq, sipas tyre, që tregoi partia që ai udhëheqë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

“Unë besoj se barti një përgjegjësi objektive si kryetar i LDK-së për këtë që na ka ndodhë, pa marrë parasysh që vetë nuk kam qenë në proces të zgjedhjeve, por dua ta ruaj LDK-në, dua që LDK-ja të fuqizohet dhe të rikthehet si forcë e rëndësishme politike sepse i nevojitet Kosovës dhe na nevojitet neve”, theksoi ai.

Mustafa bëri të ditur se tashmë është bërë thirrje që të mblidhet Kuvendi i partisë për të votuar për kreun e ri, ndërsa paralajmëroi se një gjë e tillë do të ndodhë më herët se 60 ditë, sa është afati i përcaktuar në statutin e kësaj partie.

“Unë kur e thërras Kuvendin ajo është shenjë që unë po tërhiqem dhe Kuvendi do ta zgjedh kryetarin e ri të LDK-së. Ne tani nuk kemi zgjedhur ndonjë ushtrues të detyrës, sepse nuk e kemi bërë atë formale. Por ajo që është reale është se unë do të tërhiqem dhe së shpejti Kuvendi i LDK-së do ta zgjedhë kryetarin e ri”, tha ai.

Duke folur për rezultatin e publikuar deri më tani të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, Mustafa tha se “rezultati është shumë i keq për Lidhjen Demokratike”, megjithëse vlerësoi punën e bërë nga kandidati për kryeministër nga kjo parti, Avdullah Hoti.

“Është një rezultat që ne nuk e kemi pritë fare edhe nga takimet që kemi pasur në terren edhe nga puna që e ka bërë kandidati ynë Hoti, sepse vlerësojmë se ka bërë një punë mjaft të mirë, suksesshme, duke prezantuar programin qeverisës ashtu siç duhet dhe ka komunikuar me votuesit, anëtarësinë, simpatizantët e LDK-së por vota e qytetarëve është ajo e cila respektohet”, shtoi Mustafa.

Sipas rezultateve të publikuara deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kur janë numëruar mbi 99 për qind të votave, LDK është partia e tretë më e votuar, me 13,08 për qind.

Isa Mustafa ishte zgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës më 7 nëntor 2010 në Kuvendin e shtatë zgjedhor të partisë me 235 vota, duke e mundur kundër kandidatin, Fatmir Sejdiu, i cili mori 124 vota dhe deri në atë kohë ishte kryetar i kësaj partie.