Lëvizja Vetëvendosje rrit votat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Të dhënat e publikuara në faqen zyrtare elektronike të KQZ-së bëjnë të ditur se nga rreth 99,13 për qind të votave të proceduara, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47,90 për qind të votave...

Në Kosovë përderisa janë numëruar gati të gjitha votat, Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka arritur të rrisë ndjeshëm votat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u zhvilluan të dielën më 14 shkurt, raporton Anadolu Agency (AA).

Të dhënat e publikuara në faqen zyrtare elektronike të KQZ-së bëjnë të ditur se nga rreth 99,13 për qind të votave të proceduara, Lëvizja Vetëvendosje ka numrin më të madh të votuesve, apo 47,90 për qind.Lëvizja Vetëvendosje rrit votat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Pas saj nga votat e numëruara deri më tani, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e dyta me 17,37 për qind të votave, ndërsa partia e cila deri më tash ka qenë në Qeverinë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka 13,07 për qind.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sipas këtyre rezultateve është në vendin e katërt me 7,38 për qind të votave të numëruara, ndërsa, sipas rezultateve të deritanishme, partitë tjera nuk kanë arritur ta kalojnë pragun prej 5 për qind për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.

Sa i përket partive të komuniteteve joshumicë, prinë Lista Serbe, me 5,56 për qind të votave të numëruara deri më tani.

Sipas rezultateve paraprake, në kuvendin me 120 ulëse, pritet që VV të përfaqësohet me 56 deputetë, PDK me 20, LDK 15 dhe AAK me 9. Nga komunitetet joshumicë serbët do të përfaqësohen me 10 deputetë, ndërsa boshnjakët 3, turqit 2, romët 1, ashkalinjtë 1, egjiptianët 1, goranët 1 dhe një vend shtesë për komunitetet rom, ashkali ose egjiptian.

VV gati se i dyfishoi votat nga viti 2019

Ndërkohë, sipas rezultateve jozyrtare, VV e cila në zgjedhjet e fundit në vitin 2019 kishte arritur 25,49 për qind të votave duke u zgjedhur partia e parë në vend, tërhoqi vëmendjen se përqindjen e votave në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit e ngriti në 47,90. Ndërsa LDK me 24,83 për qind të votave në zgjedhjet e 2019 ra në 13,07 për qind.

PDK mbeti në 17,37 për qind, të cilët në 2019 kishin 21,16 për qind.

AAK-ja e cila ishte në koalicion me PSD-në në zgjedhjet e vitit 2019 dhe kishte fituar 11,47 për qind, këto zgjedhje arriti 7,38 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje është lëvizje politike në Kosovë e themeluar në vitin 2005. Për vite me radhë, ajo nëpërmjet protestave dhe aksioneve të ndryshme, ka qenë kritike ndaj partive politike në pushtet.

Programi i tyre, si parti social demokrate dhe e kombëtarizmit, është i bazuar kryesisht në dy boshte kryesore: shtet i zhvillimit dhe shtet i mirëqenies.

Lëvizja Vetëvendosje emrin e ka marrë inspiruar nga slogani “Vetëvendosje!”, slogan kryesor i protestave të viteve 60-ta të cilat u shtrinë në gjithë Kosovën me qëllim përparimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Zanafilla e Vetëvendosjes ndodhet në aktivitetet dhe aksionet e Rrjetit të Aksionit për Kosovën (KAN) i cili u themelua më 1997, nga një grup aktivistësh të cilët u vunë në përkrahje të nismave qytetare kundër okupimit dhe diktaturës serbe në Kosovë.

Në vitin 2010 Vetëvendosje regjistrohet si subjekt politik në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe hyn zyrtarisht në garë për zgjedhjet parlamentare duke fituar 12,4 për qind të votave dhe 14 nga 120 vende në Kuvendin e Kosovës.

Rritja e saj del në pah në zgjedhjet e pasardhëse, ku në vitin 2014 ajo kishte fituar 16 ulëse në Kuvend.

Në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, Vetëvendosje u bë partia më e madhe politike në parlament, me 32 ulëse në parlament. Ndërsa edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 ajo mbeti partia më e votuar, me 29 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe me Qeveri të cilën e formoi në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Albin Kurti ka lindur më 24 mars të vitit 1975 në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ku edhe ka kryer arsimin fillor dhe të mesëm.

Albini iu bashkua Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në gusht 1997, i cili organizoi protesta paqësore, jo të dhunshme për lirimin e ndërtesave dhe ambienteve të universitetit, të cilat u pushtuan nga autoritetet e regjimit serb.

Me fillimin e luftës në Kosovë, në gusht të vitit 1998, Kurti filloi të punojë si sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi.

Kurti u arrestua nga policia serbe më 27 prill 1999. Ndërsa, me tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, më 10 qershor, Kurti dhe mbi dy mijë shqiptarë të tjerë u transferuan në burgjet serbe. Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua më 7 dhjetor 2001.

Më 23 prill 2003, Albin Kurti diplomoi në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i Telekomunikacionit me Kompjuterikë.

Kurti ka qenë kryeministër i Kosovës nga shkurti i vitit 2020 deri në qershor të po atij viti ku Qeveria e udhëhequr nga ai u shkarkua me vota në Kuvend. Ai flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, angleze dhe serbo-kroate.