Kryeparlamentari turk viziton vendet historike në Shkup

Şentop dhe delegacioni i tij vizituan sheshin “Maqedonia” në qendër të Shkupit, më pas kaluan “Urën historike” të gurit

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, në ditën e parë të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut ka vizituar disa vende historike në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).

Şentop dhe delegacioni i tij vizituan sheshin “Maqedonia” në qendër të Shkupit, më pas kaluan “Urën historike” të gurit.

Më pas, presidenti Şentop kaloi në “Çarshinë e Vjetër” të Shkupit dhe bisedoi me esnafin e çarshisë historike.

Şentop, i cili nesër do të pritet me një ceremoni zyrtare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, do të takohet me kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe do t’u drejtohet deputetëve.

Më pas, Şentop dhe delegacioni i tij do të pritet në takim edhe nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Kryeparlamentari turk do të vizitojë edhe Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), si dhe do të takohet me nxënësit e shkollës fillore “Tefeyyuz” në Shkup.

Şentop do të marrë pjesë dhe do të adresohet edhe në ceremoninë e shënimit të 21 Dhjetorit – Ditës së mësimit në gjuhën turke.