Kush është Jeffrey Hovenier, ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë

Jeffrey Hovenier do të jetë ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Emërimi i tij u konfirmua nga Senati amerikan.

Hovenier do ta zëvendësojë në këtë pozitë ambasadorin e deritanishëm amerikan, Philip Kosnett, mandati i të cilit përfundon në fund të vitit.

“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, pati thënë Hovenier në vitin 2018, kur u dekorua në Prishtinë me Medaljen Presidenciale për kontributin e dhënë në shtetformimin e Kosovës.

Kush është  Jeffrey M. Hovenier?

Hovenier ka kaluar një pjesë të madhe të karrierës së tij, mbi 31 vjet, në rajonin e Evropës dhe Euroazisë me fokus në çështjet e sigurisë.

“Kjo përvojë e gjerë dhe thelbësore në rajon, së bashku me përvojën e tij menaxheriale dhe aftësinë e demonstruar për të udhëhequr ekipe të mëdha ndërinstitucionale, si dhe zyra të orientuara nga politika, e bëjnë atë një kandidat të kualifikuar për të qenë ambasador i SHBA-së në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Hovenier është nominuar për ambasador në Kosovë në muajin korrik, nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Angazhimi i tij në Kosovë

Muajin e kaluar, Jeffrey Hovenier, i nominuar i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden për ambasador në Kosovë u paraqit në Komitetin e Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë.

Gjatë paraqitjes së tij, Hovenier ka thënë se ka qenë pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për ta mbrojtur popullin e Kosovës gjatë luftës së fundit në disa aspekte, por ka theksuar rolin që ka pasur si pjesëtar i ekipit të Kombeve të Bashkuara, të krijuar nga ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, “i cili ka krijuar ‘Planin Ahtisari’ dhe ka hapur rrugën për pavarësinë e Kosovës”.

Ai ka thënë se nëse emërohet ambasador i SHBA-së në Kosovë, ai do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike.

Më pas ai ka përmendur mbështetjen për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili siç ka thënë Hovenier – duke cituar presidentin Biden – duhet të ketë në qendër “njohjen reciproke”.

“Normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për stabilitetin rajonal dhe do të hapë rrugën për dy shtetet drejt integrimeve në institucionet euro-atlantike. Nëse më konfirmohet nominimi, unë do ta inkurajoj Kosovën që të angazhohet me konstruktivitet, fleksibilitet dhe urgjencë”, ka deklaruar ai para senatorëve amerikanë.

Hovenier ka thënë po ashtu gjatë prezantimit të tij se populli i Kosovës nuk e ka harruar rolin e SHBA-së në 20 vjetët e fundit.

“Si rezultat, Kosova është një nga vendet më pro-amerikane në botë dhe partnere e ngushtë”, tha ai.

Ai ka thënë se pas zgjedhjeve të mbajtura në Kosovë në muajin shkurt, qeveria e re ka mandat të qartë dhe se marrëdhënia SHBA-Kosovë mbetet pozitive dhe produktive.

I nominuari i Bidenit për ambasador në Kosovë, ka përmendur edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për të strehuar përkohësisht disa afganë të evakuuar nga Afganistani, pas largimit të trupave ndërkombëtare nga ky vend.

“Pranimi i refugjatëve kur kanë nevojë është diçka që shumë kosovarë e kujtojnë”, ka thënë ai.

Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e pati dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

“Mbështetja e juaj dhe e SHBA-së në të gjitha proceset politike ka qenë përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Do të jemi përgjithmonë mirënjohës”, pati thënë Thaçi.

Ndërsa diplomati amerikan, Jeffrey Hovenier, kishte deklaruar se qëndrimi amerikan gjithmonë ka qenë në përkrahje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, pati thënë Hovenier.

Në pozitën e ambasadorit në Prishtinë, ai do të zëvendësojë, ambasadorin e tanishëm, Philip Kosnett.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, ambasadori Kosnett e ka uruar Hovenier për nominimin që të shërbejë si ambasador i SHBA-së në Kosovë.

Karriera diplomatike

Anëtar karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë me gradën Ministër-Këshilltar, Hovenier aktualisht shërben si Zëvendës shef i Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Ankara, Turqi, ku shërbeu edhe si i Ngarkuar me Punë, nga gushti 2018 deri në korrik 2019.

Para kësaj, ai ishte ushtrues detyre i Zëvendës Shefit të Misionit dhe Ministër-Këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën e SHBA-së në Berlin, Gjermani.

Ai ka shërbyer gjithashtu në misionet e SHBA-së në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguaj dhe Peru; në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE); në stafin e të dërguarit special të OKB-së për statusin e Kosovës; dhe në detyra të përkohshme në Serbi, Mal të Zi dhe delegacionin e SHBA-së në Bisedimet e Paqes në Kosovë të vitit 1999.

Detyrat e tij në Uashington përfshijnë shërbimin si Drejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë Evropiane të Departamentit të Shtetit me përgjegjësi për çështjet e NATO-s dhe Evropës Qendrore.