Lajçak për Asociacionin: Asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës pa marrëveshje me të

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor i SHBA-së, Gabriel Escobar kanë përmbyllur vizitën e tyre në Kosovë me një konferencë për media, raporton Anadolu Agency (AA).

Lajçak dhe Escobar po qëndrojnë në Kosovë nga 31 janari me qëllim për të diskutuar mbi zhvillimet rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe atë se si mund të ecë përpara ky proces.

Për këtë, emisari Lajçak tha se bashkësia ndërkombëtare ka arritur progres më të shpejtë në dialog në vitin 2021 dhe shpresojnë që të jetë njëjtë edhe në vitin 2022, meqë se sipas tij “kemi të gjitha elementet të cilat do të mundësojnë një dialog më të dukshëm dhe me progres më të shpejtë”.

Duke folur për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, Lajçak tha se është zotim i palës kosovare në kuadër të dialogut.

Ai tha se asociacioni mund të bëhet në kuadër të kornizës kushtetuese të Kosovës.

“Sa i përket asociacionit Kosova ka 50 për qind të së drejtës së fjalës, që nënkupton se asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës pa marrëveshje me të, apo pa u pajtuar Kosova me të. Dëgjoj shpesh se nuk duam republikë të dytë serbe, besoj se edhe ne e kemi thënë qartë se askush nuk dëshiron republikë të dytë serbe në Kosovë. Ka një parim universal që thotë se ato që janë dakorduar duhet të zbatohen dhe këtë po ua themi të dyja palëve, në Prishtinë dhe Beograd. Në Kosovë keni bërë shumë zotime në 12 vite të dialogut dhe keni zbatuar, por ka edhe një listë me marrëveshje tjera që duhet të bëni, asociacioni është njëra prej tyre”, tha Lajçak.

Lajçak po ashtu komentoi edhe çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët, ku tha se beson se Kosova meriton t’i jepet regjimi pa viza, madje e ka merituar këtë para shumë kohësh, por një gjë e tillë mbetet në konsensusin e 27 vendeve anëtare.

Emisari i SHBA-së, Gabriel Escobar tha se është me rëndësi që vizitën e parë të tij në Kosovë po e bën me Lajçakun, për të treguar përkushtimin e përbashkët si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.

Ai tha se procesi i dialogut do të hapë dyer jo vetëm për zhvillim ekonomik të të dyja vendeve, por do të shtyjë përpara edhe procesin e integrimit evropian.

“Jemi takuar me të gjithë udhëheqësit kyç. Mendojmë se kemi pasur takime mjaftë produktive dhe në fund të dialogut shpresojmë se rezultati do të jetë një marrëveshje e mirë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Kam besim se mënyra se si gjërat duken dhe përkushtimi evropian bashkë me mbështetjen amerikane për procesin e dialogut, do të çojë deri te arritja e marrëveshjes midis palëve”, tha Escobar.

Escobar tha se administrata amerikane mbështetë fuqishëm pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, përtej kësaj, se si Kosova dhe Serbia arrijnë në një periudhë të normalizimit, duhet t’i lihet dialogut.

Përpos me udhëheqës institucionalë, ata në Kosovë u takuan edhe me liderë të partive politike si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

Qëllimi kryesor i vizitës së tyre në Kosovë ka qenë diskutimi i hapave të ardhshëm në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtë