Meta: Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj evropian

Presidenti Meta, kryeministri Rama dhe drejtues të partive politike kanë reaguar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë...

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe drejtues të partive politike kanë reaguar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në rrjetet sociale, Meta ka uruar qytetarët dhe klasën politike të Kosovës, sipas tij “për shembullin e shkëlqyer të besimit te demokracia dhe vota e lirë, si dhe për standardet e suksesshme të arritura në zgjedhjet e djeshme parlamentare”.

“E përshëndes pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në votime, të cilët sfiduan kushtet e vështira atmosferike dhe pandeminë COVID-19, për të marrë në dorë fatet dhe për të vendosur të ardhmen e tyre”, ka shkruar Meta.

Presidenti i Shqipëria shkruan se Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj evropian dhe konsolidimit të shtetit demokratik.

“Urojmë, që institucionet e reja, që do të formohen përmes bashkëpunimit, të udhëheqin me sukses shtetin e Kosovës për të fituar sfidat e të ardhmes”, thekson Meta në reagimin e tij.

Kryeministri Rama në reagimin e tij në rrjetet sociale uron “që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri”.

“Përshëndetje të gjitha forcave politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesve të qartë të zgjedhjeve, LVV, me urimin që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën, me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik dhe social”, shkruan Rama.

Basha: Kosova ka sfida të mëdha përpara

Ndërkohë, për zgjedhjet në Kosovë ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i cili në rrjetet sociale shkruan: “Përgëzime nga zemra qytetarëve të Kosovës, institucioneve dhe partive politike për një proces zgjedhor shembullor me standarde evropiane, model demokracie për mbarë rajonin”.

“Urime VV, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren e zgjedhjeve. Kosova ka sfida të mëdha përpara. Jam i bindur se partia fituese e zgjedhjeve dhe partitë e tjera do të arrijnë t’i adresojnë dhe zgjidhin ato në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, shkruan ndër të tjera Basha.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nga rreth 99,13 për qind të votave të proceduara, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u zhvilluan më 14 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47,90 për qind të votave.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e dyta me 17,37 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka 13,07 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 7,38 për qind.