Marrëveshja për koalicionin e 25 prillit, Fatmir Mediu në PD, nis takimin me Bashën

Pak minuta më parë, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka hyrë në selinë blu...

Pak minuta më parë, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka hyrë në selinë blu. Gazetari Osman Stafa raporton për “BalkanWeb” se ai është në prag të firmosjes së marrëveshjes për të hyrë në koalicion me PD në zgjedhjet e 25 prillit.

Pikërisht për përmbajtjen e kësaj marrëveshje dhe firmosjen e saj pas dakordësisë ai po takohet me kryedemokratin Lulzim Basha.

Kujtojmë që Fatmir Mediu është i vetmi aleat me të cilin Basha nuk ka arritur ende një marrëveshje përfundimtare. Gazetari Osman Stafa tha në një lidhje direkte për ‘News24’ se deri më tani nuk është rënë dakord për përfaqësinë e PR-së në lista. Mediu ka kërkuar në bisedë e sipër që PR-së, t’i njihet pesha elektorale dhe se kandidatët që do të vijnë nga kjo parti, të shihen si kandidatë të koalicionit opozitar.

“Është shumë e rëndësishme që koalicioni të përfshijë logot e të gjithë partive përkatëse, me një emër koalicioni të caktuar dhe po ashtu, edhe peshën e partive politike në të gjitha qarqet dhe rajonet”, deklaroi më herët gjatë mbledhjes së Këshillit Politik të PR, Fatmir Mediu.