Mbahet seanca e pestë statusore ndaj ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale

Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve kërkuan lirimin nga paraburgimi të klientëve të tyre derisa Prokuroria Speciale të jetë gati për të filluar gjykimin

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë e njohur ndryshe edhe si Gjykatë Speciale për krimet e luftës, është mbajtur seanca e pestë statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në këtë seancë, mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve kërkuan lirimin nga paraburgimi të klientëve të tyre derisa Prokuroria Speciale të jetë gati për të filluar gjykimin.

Avokati i ish-presidentit Thaçi, Pierre Richard Prosper tha se Prokuroria po i kërkon mbrojtjes durim deri në përfundimin e procesit të mbledhjes së materialeve, por ai ka pyetur se përse ata janë aty nëse nuk janë gati për fillimin e gjykimit.

“Të akuzuarit kanë të drejtë të dinë pse akuzohen dhe ne nuk e dimë. Prokuroria thotë se janë duke bërë hetime të cilat do të vazhdojnë në një të ardhme të parashikueshme. Unë mund të flas edhe për vitin 2030. Ne duhet ta dimë se për çfarë afati bëhet fjalë. Këta njerëz janë privuar nga liria. Të gjithë klientët tanë rrinë larg familjeve pse Prokuroria nuk është gati. Derisa Prokuroria vazhdon hetimet atëherë duhet t’i kthehemi çështjes së lirimit të klientëve tanë derisa Prokuroria të jetë gati”, ka thënë ai.

Nga Zyra e Prokurorit Special u përmend shtatori si muaj për fillimin e procesit gjyqësor të të akuzuarve. Por, pala mbrojtëse reagoi kundër kësaj kohe për fillimin e procesit, ngase siç arsyetuan ata “ende nuk kanë informacion se kur do të dorëzohet dosja paraprake”.

“Afati është alarmues, e është jo i kënaqshëm të pranojmë një afat të tillë kohor siç u parashtrua nga Prokuroria. Një prej statistikave më domethënëse është elementi i përkthimit që filluat këtë seancë. Duhet që dokumentet më të rëndësishme të përkthehen në shqip”, tha ndër të tjera avokati i Rexhep Selimit, David Young.

Mbrojtja tha se është duke përgatitur kërkesat për lirimin e klientëve të tyre dhe gjykatësi tha se do të shtyjë afatin deri në fund të majit, në mënyrë që avokatët të mund të parashtrojnë kërkesat e tyre.

Palët u pajtuan që konferenca e radhës të mbahet në muajin qershor.

Aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa është bërë publike më 5 nëntor, ditën kur ai hoqi dorë nga pozita e presidentit të Kosovës dhe të njëjtën ditë u transferua për në Hagë.

Mbi ish-presidentin Thaçi si dhe ish-pjesëtarët tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë rëndon akuza në të cilën thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi të cilët gjenden në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, janë deklaruar të pafajshëm që në seancat e para.