Më 8 Qershor fillojnë provimet për maturantët, korrigjimi elektronik

Për shkak të pandemisë dhe masave mbrojtëse, çdo shkollë do të jetë qendër provimi. Këtë vit dhe teza dhe kohëzgjatja e provimit janë të kushtëzuara nga situata e koronavirusit.

Përfundon hartimi dhe printimi i testeve të provimit të parë të Maturës Shtetërore. Nën masa të larta sigurie do të bëhet shpërndarja në çdo drejtori arsimore, ndërsa të hënën e 8 qershorit maturantët do t’i nënshtrohen testit të parë të gjuhës së huaj.

Për shkak të pandemisë dhe masave mbrojtëse, çdo shkollë do të jetë qendër provimi. Këtë vit dhe teza dhe kohëzgjatja e provimit janë të kushtëzuara nga situata e koronavirusit.

“Provimi i gjuhës së huaj të hënën do të zhvillohet në orën 10:00 dhe përfundon në orën 12:00. Testi i gjuhës së huaj është i ndërtuar i gjithi me alternativa. Testi përmban 60 pyetje secila nga 1 pikë. Të gjithë do të jenë të pajisur me maska dhe doreza dhe do të ruhet distance”, deklaroi Agim Alia nga Drejtoria e Vlerësimit.

Edhe korrigjimi do të jetë ndryshe, tërësisht elektronik dhe vetëm në Qendrën e Shërbimeve Arsimore në Tiranë, transmeton A2News. Fleta e përgjigjeve është më e rëndësishmja e këtij procesi, pasi të gjitha përgjigjet e testit do të lexohen dhe vlerësohen nga korrigjuesi elektronik. Specialistët këshillojnë maturantët të mos e dëmtojnë, pasi nuk dublohet dhe ta plotësojnë si duhet.

“Nuk duhet të dëmtohet bar-code i fletëpërgjigjes, mos dëmtohen tabelat në këtë fletë. Për çdo pyetje duhet të mbushin një përgjigje. Nuk duhet të përdoret as korrektor pasi nuk e njeh makineria”, shtoi Alia.

Vështirësia e provimeve të Maturës Shtetërore do të jenë të shkallëzuara sipas nivelit të nxënësve. 40% të pyetjeve janë për nivelin e 5 dhe 6, 40% të tjera për nivelin mesatar dhe 20% janë pyetje të vështira që do të ndajnë nxënësit e 9-s nga ata të 10-s.