Në Shkodër zhvillohet dita e biçikletave

“Dita e Biçikletës” bashkoi sot shumë të rinj e të reja jo vetëm nga Shkodra, por edhe qytet të tjera të Shqipërisë si dhe nga Mali i Zi dhe Kosova.

Qyteti me traditën më të hershme në Shqipëri për përdorimin e biçikletave i ka kushtuar një ditë të veçantë këtij mjeti, që vazhdon të përdoret edhe sot e kësaj dite nga rreth 30 përqind e banorëve të Shkodrës duke e renditur atë në qytetin e pestë në Europë për nga përdorimi i biçikletës në raport me numrin e popullsisë. “Dita e biçikletës”, një veprimtari kjo e bashkisë dhe shoqatës “The Door”, sipas drejtuesit të kësaj shoqate, Kastriot Facit, synon vazhdimësinë e kësaj tradite, e cila nis në Shkodër 113 vite më pare, kur në këtë qytet arriti edhe biçikleta e parë.

“Meqë jena në kohë pandemie ishte idea për të sjellë diçka të re. Kemi organizu turneun në Malin e Taraboshit për të promovu edhe malin edhe sportin e aventurës. Duam që të promovojmë jetën aktive të komunitetit, përdorimin e biçikletës, kundesin për jetën, përdorimin e helmetës dhe plotësimin e kushteve për ecë sa më të sigurtë me biçikletë”, thotë ai.

Studentja nga Tirana, Megi Loci, thotë se biçikleta është një nga pasionet e saj. Edhe vitin e kaluar ajo morri pjesë në garat që u zhvilluan në Shkodër në ditën e biçikletës, ku edhe zuri vendin e parë në garimin për vajzat.

“Në vendin ku banoj unë ka shumë trafik edhe, kur don të shkosh në një vend, gjysëm ore mbetesh në trafik. Kurse me biçikletë shkon për pesë minuta. Ndërsa për ambientin nuk është ndotës, nuk ka as shpenzime, se makina kërkon karburantin. Ndërsa biçikleta është pedalim dhe bën mirë për shëndetin”, thotë ajo.

“Dita e Biçikletës” bashkoi sot shumë të rinj e të reja jo vetëm nga Shkodra, por edhe qytet të tjera të Shqipërisë si dhe nga Mali i Zi dhe Kosova, transmeton VoA.

Nga viti në vit, në qytetet e Shqipërisë, por edhe të rajonit, ka ardhur duke u shtuar me rritme të shpejta numri i automjeteve në rrugë, ç’ka e ka vështirësuar dhe, në disa qytete, e ka bërë të pamundur lëvizjen e qytetarëve me biçikleta, Ndaj, pjesëmarrësit e sotëm në “Ditën e Biçikletës” në Shkodër, apeluan për krijimin e infrastrukturës së nevojshme rrugore për lëvizjen e biçikletave në qytete.