Nikolla pret ambasadorin e Kosovës në Tiranë: Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës një model e inkurajim për bashkëpunimin rajonal

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti në një takim Ambasadorin e Kosovës, z. Skënder Durmishi. Ambasadori Durmishi uroi Lindita Nikolla për zgjedhjen në detyrën e Kryetares së Kuvendit dhe e falenderoi për dinamikën e re të bashkëpunimit parlamentar me Kuvendin dhe me institucionet e Kosovës, qëndrim që është vlerësuar nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe vëllazëror midis dy vendeve dhe shprehu vullnetin dhe besimin se ky bashkëpunim do të hyjë në një fazë të re, më dinamike e më produktive.

“Vizita ime e parë në Kosovë nuk ishte thjesht simbolike, por me objektiva e pritshmëri të qarta për të dinamizuar bashkëpunimin parlamentar midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës. Tryeza e Kryetarëve të Komisioneve, e cila u institucionalizua gjatë muajit tetor, do të pasohet nga institucionalizimi i Tryezës së Kryetarëve të Delegacioneve parlamentare, me qëllim që të ndërtojmë një diplomaci parlamentare të përbashkët, të funksion të përballimit të sfidave të sotme dhe të ardhshme të Kosovës. Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës është strategjik, stabilizues dhe orientues për perspektivën euroatlantike të rajonit dhe një model e inkurajim për bashkëpunimin rajonal”, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.