Një studim tregon sa kohë ju mbron imuniteti natyror nga Covid-19

Një studim i ri nga shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar, tha se antitrupat Covid-19 nga infeksioni natyror mund t’ju mbajnë të sigurt nga koronavirusi për të paktën 10 muaj.

Sa zgjat imuniteti natyror?

Studimi i botuar në revistën mjekësore Nature Microbiology – shqyrtoi mostrat e gjakut nga njerëzit që ishin infektuar gjatë valës së parë të pandemisë së koronavirusit.

Studiuesit zbuluan se antitrupat ishin në gjendje të luftonin infeksionin për 10 muaj pas simptomave.

Shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar thanë se një numër i madh i antitrupave mund të dallohen disa muaj pas infektimit.

“Shqetësimet fillestare ishin se përgjigja e antitrupave ndaj SARS-COV-2 mund të imitonte atë të koronaviruseve të tjerë endemikë njerëzorë, si 229E, për të cilin përgjigjet e antitrupave janë të shkurtra,” shkroi ekipi shkencor

“Sidoqoftë, të dhënat tona dhe ato të studimeve të tjera të fundit, tregojnë se antitrupat neutralizues bien në numër pas një përgjigjeje fillestare maksimale, por aktiviteti i fuqishëm neutralizues kundër grimcave virale dhe virusit infektiv, mund të dallohet ende deri në 10 muaj pas infektimit.”

A mund të ndalojë imuniteti natyror Covid-19?

Ka pasur një sërë pyetjesh se sa mund t’ju mbajë të sigurt imuniteti natyror nga Covid-19. Një studim i fundit nga Shkolla e Shëndetit Publik në Yale zbuloi se njerëzit e pavaksinuar me imunitet natyror, mund të infektohen me Covid-19 çdo 16 muaj, çka tregon se virusi mund të vazhdojë të përhapet tek ata që kanë imunitet natyral.

“Rezultatet tona bazohen në kohën mesatare të zbehjes së imunitetit tek individët e infektuar,” tha Hayley Hassler, një bashkëautore e studimit, për Yale Daily News. “Individët mund të përjetojnë kohëzgjatje më të gjatë ose më të shkurtër të imunitetit, në varësi të statusit imunitar, moshës dhe shumë faktorëve të tjerë.”

A është vaksina kundër Covid-19 më efektive se imuniteti natyror?

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve zbuloi së fundmi se imuniteti nga vaksina është më i qëndrueshëm se imuniteti natyror. Por, imuniteti natyror mund të zgjasë të paktën gjashtë muaj pas infektimit.

“Përfundimi i CDC: Duke pasur parasysh ato që dihen dhe nuk dihen për imunitetin, njerëzit që janë infektuar me virusin gjithsesi duhet të vaksinohen”./ Deseret News