Njihej si ”padrino i drogës” dhe i është vendosur disa herë tritol, kush është Behar Sofia që u ekzekutua në zemër të Tiranës. Përmendet dhe në vrasjen e bujshme të…

Behar Sofia, 66-vjeç u ekzekutua mëngjesin e sotëm në zemër të Tiranës, në afërsi të Piramidës, ndërsa dyshohet se atentati i tij ka qenë i mirëmenduar, pasi është përdorur armë me silensiator.

Sofia, me origjinë nga Berati, dhe banues në Tiranë pranë “ETC”, nuk është një emër i panjohur për Policinë, pasi ai dyshohet që të ketë precedentë penalë brenda dhe jashtë vendit, ndërkohë që bizneseve të tij iu është vendosur disa herë lëndë plasëse në afërsi të stadiumit Dinamo në Tiranë.

Sofia përmendet si dëshmitar në vrasjen që tronditi vendin, ku Dritan Dajti qëlloi mbi katër punonjës të Policisë, por ky nuk është rasti i vetëm. 66-vjeçari po ashtu njihej edhe me nofkën ”padrino i drogës’, pasi dyshohet si i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike, dhe ka qënë i arrestuar që prej vitit 1998 në Turqi.

Duket se vrasja e tij ka qenë në vazhdimësinë e përplasjeve të grupeve kriminale për pazaret e drogës, ndërsa së fundi biznesmeni kishte humbur mjaft terren, për shkak të konflikteve.

Burimet bëjnë me dije se viktima është Behar Sofia, ndërkohë që ai ka qenë duke ecur në këmbë në momentin që është qëlluar.

Paraprakisht flitet se shtetasi në fjalë ka qenë i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale që kanë ndodhur në vend, dhe është me precedentë penalë.

Për shkak se është qëlluar me armë me silensiator, qytetarët kanë menduar se viktima ishte rrëzuar në trotuar, por kur kanë parë njollat e gjakut, është kuptuar që kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale.

Kanë qenë qytetarët ata që kanë lajmëruar Policinë për qytetarin e plagosur, pasi e kanë parë të shtrirë në trotuar, ndërkohë që po punohet për identifikimin e autorëve.

Sofia ka qenë duke ecur me këmbë në momentin kur është qëlluar ndërkohë që në zonë ka shumë biznese, të cilat kanë kamera sigurie, që pritet të mundësojnë zbardhjen e ngjarjes.

Policia ka vendosur perimetrin e sigurisë në të gjithë zonën përreth, ndërkohë që në vendngjarje kanë mbërritur drejtuesit më të lartë të Policisë së Tiranës, pëtfshirë drejtuesin Rebani Jaupi.

Zona ku ka ndodhur ngjarja është mjaft e populluar, dhe në momentin kur ka ndodhur ngjarja dyshohet se ka pasur dëshmitarë që e kanë parë skenën e krimit.

Policia po vijon hetimet dhe ka ngritur disa postoblloqe në zona të ndryshme të Tiranës, në mënyrë që të arrijë drejt autorëve.