Policja shqiptare vrau prindërit, vëllezërit dhe më pas veten/ Prokuroria merr të pandehur kolegun e saj, zbulohet arsyeja

Ka kaluar një vit nga ngjarja tronditëse në Gjilan, ku efektivja e policisë Valdete Bllaca vrau prindërit, vëllezërit dhe më pas veten. Në bazë të raporteve mjekësore, dyshohej se ajo kishte patur probleme të shëndetit mendor gjatë muajve të fundit para se të ndodhte “gjëma”.

Ndërkohë Prokuroria Themelore e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj policit që ishte përgjegjës për ruajtjen e armëve të zyrtarëve policorë. Valdete Bllaca ishte rekomanduar që të punonte pa uniformë dhe pa armën e shërbimit.

Një informacion të tillë e kanë dhënë nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, ku zëdhënësja e kësaj prokurorie, Liridona Xheladini, i ka thënë Gazetës Express, se aktakuza ndaj policit me inicialet XH.A, është ngritur për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Xheladini tha:

Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se për këtë rast, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, më 05 Janar 2021, pas zhvillimit të hetimeve ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit XH.A., për shkak të veprës penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, pasi i njëjti si person zyrtar – përgjegjës për ruajtjen e armëve të zyrtarëve policor, duke mos ndërmarrë veprimet e domosdoshme, të cilat ishte i detyruar t’i ndërmerrte, e ndjera V.B., kishte arritur t’i fotokopjonte çelësat e zyrës dhe sirtarit metalit, ku nga aty kishte marrë armën e saj zyrtare, me të cilën ka vrarë prindërit, dy vëllezërit dhe në fund ka kryer vetëvrasje.