Policia e Kosovës shënon 22-vjetorin e themelimit të saj

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me pjesëtarë të policisë kanë shënuar 22-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës me një ceremoni në drejtorinë qendrore të policisë në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Sveçla falënderoi 9 mijë e 180 zyrtarët policorë, sa janë gjithsej, të cilët tha se në çdo moment janë në vendin e duhur për të garantuar rendin dhe qetësinë publike dhe për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

Sveçla tha se përvjetorin e 22-të ministria ka pasur në plan ta shënojë në mënyrë më madhështore, por situata me pandeminë e ka pamundësuar një gjë të tillë.

Ai tha se pikërisht nga pandemia që nga fillimi i përhapjes së COVID-19, në Kosovë kanë pësuar me fatalitet nga ky virus gjithsej 24 zyrtarë policorë.

“Numrat e rasteve fatale kanë prekur edhe Policinë e Kosovës dhe deri më sot fatkeqësisht ne kemi 24 zyrtarë policorë të vdekur për shkak të COVID-19. Në anën tjetër kemi punuar shumë në vaksinimin e zyrtarëve policorë e ku është bërë progres i madh. Deri më sot kemi 7 mijë e 912 zyrtarë policorë të vaksinuar ndërsa në radhë për vaksinim janë edhe 1 mijë e 268 e që për pak ditë jam i bindur se do të arrijmë maksimumin”, tha ministri Sveçla.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se të sigurosh jetën dhe pronën e qytetarit është detyrë shumë e rëndësishme dhe shumë përgjegjësi.

Ai u bëri thirrje pjesëtarëve të policisë që mos ta shkelin kurrë besimin qytetar të dhënë që ata të jenë ruajtësit e rendit dhe sigurisë në vend.

“Të jesh pjesëtarë i Policisë së Kosovës nuk është vetëm krenari, apo privilegj. Bartja e uniformës së shtetit nënkupton përgjegjësi dhe ndonjëherë edhe rrezik për jetën e zyrtarit policor. Por, shërbimi ndaj vendit është ndjenja më sublime që mund të përjetojë një qytetar”, tha ai.

Në fund të ceremonisë, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, lexoi emrat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilëve u janë ndarë medalje për shpëtim jete, medalje policore për lëvdim, lëvdata dhe mirënjohje.

Policia e Kosovës është themeluar si institucion i sigurisë dhe rendit më 6 shtator të vitit 1999. Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri (OSBE) në pajtim me rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, hapi fillimisht shkollën policore dhe nisi trajnimin e kandidatëve të parë për t’u bërë policë. 176 pjesëtarë të policisë ishin nga gjenerata e parë e institucionit që në atë kohë mori emrin Shërbimi Policor i Kosovës.