Policia i bashkohet protestuesve në SHBA, sherifi: Nuk jemi të gjithë si polici që vrau Floyd

Jashtë stacionit të policisë së Ferguson, në shenjë respekti efektivët u gjunjëzuan për nëntë minuta, aq sa zgjati dhe agonia e Floyd gjatë mbytjes.

Jo vetëm dhuna, por edhe solidariteti përcillet nga SHBA-ja. Gjatë fundjavës në tre qytete të mëdha në Shtetet e Bashkuara, policia iu bashkua protestuesve të indinjuar nga vrasja e afrikano amerikanit George Floyd nga një agjent policie.

Gjesti i agjentëve nga Camden, New Jersey, Ferguson, Misuri dhe Flint, Michigan, të gjunjëzuar para protestuesve, është bërë virale duke ngjallur lëvdata. Kjo është parë si një shpresë të vogël, ndërsa përhap një shembull që po fillon të përsëritet edhe në pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara.

Protestuesit në Flint, Michigan, të mbledhur jashtë stacionit të policisë, dëgjuan fjalët e Sherifit të Qarkut Genese, Christopher Swanson i cili foli me ta përpara se të bashkohej me protestën paqësore: “Arsyeja e vetme që jemi këtu është të sigurohemi që të keni një zë!”

Sherifi theksoi se agjentët amerikanë nuk janë të gjithë si ish-polici Derek Chauvin, i akuzuar për vrasjen e Floyd : “Mos mendoni për asnjë sekondë se ai përfaqëson policë nga i gjithë ky komb”, tha Swanson. “Këta policë ju duan!”, vazhdoi më tej sherifi.

Jashtë stacionit të policisë së Ferguson, në shenjë respekti efektivët u gjunjëzuan për nëntë minuta, aq sa zgjati dhe agonia e Floyd gjatë mbytjes. Ndërsa, turma e njerëzve inkurajoi agjentët për spektaklin e solidaritetit. /abcnews.al