Macron: Bashkimi Evropian ka përgjegjësi ndaj Ballkanin Perëndimor

Presidenti francez Emmanuel Macron u zotua se do të punojë për ta bërë Evropën më të fuqishme. Më 1 janar 2022 Parisi merr për 6 muaj presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, një mandat që përputhet me zgjedhjet presidenciale të vendit.

Duke prezantuar prioritetet e Parisit gjatë kësaj detyre, Macron u ndal edhe te raportet me Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij evropiane.

Macron këmbënguli në “përgjegjësinë shumë të veçantë” që duhet pasur me gjashtë shtetet e rajonit. Ai kërkoi të qartësohet perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Bosnjës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

“Historia përsëritet ndaj sot kemi një përgjegjësi të veçantë ndaj Ballkanit Perëndimor. Atje duhet të zbatojmë politikën e angazhimit të ri, por edhe investimeve në mënyrë që të favorizojmë integrimin ekonomik të rajonit, ndihmojmë shkëmbimin e njerëzve, zgjidhim çështjet e pakicave dhe luftojmë kundër ndikimeve dhe manipulimeve që janë pasojë e angazhimit të fuqive që përmes Ballkanit duan ta destabilizojnë Evropën”, u shpreh Macron.

Presidenti francez bëri me dije se në qershor do të organizohet një konferencë kushtuar rajonit.

“Fqinjësia jonë më e afërt është Ballkani Perëndimor. Në qershor do të organizojmë konferencën për Ballkanin Perëndimor sepse Ballkani është më shumë se fqinjësi, është në zemër të Evropës. Mjafton të shikohet harta dhe historia jonë”, tha Macron.

Ai ka shtuar se angazhimi politik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor është agjendë e vërtetë për sovranitetin e Evropës, duke shtuar se nëse rajoni lihet në situatën në të cilën ndodhet sot nuk mund të ndërtohet një Evropë në paqe për 50 vjetët e ardhshme.