Prishtinë, protestohet kundër abuzimit seksual me të miturit

Futja e lëndës seksuale në shkolla si dhe nevoja për psikologë të shkollave ishin dy kërkesat që ata i adresuan Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Nën moton “Traumë, jo lojë” nxënës nga tri gjimnazet e mëdha të Prishtinës kanë marshuar në sheshe pas raportimit nga mediat vendore për një sulm seksual ndaj një nxënëse të klasës së parë në shkollën fillore “Faik Konica”, raporton Anadolu Agency (AA).

Rreth 500 nxënës të gjimnazeve “Sami Frashëri”, “Xhevdet Doda” dhe “Ahmet Gashi” kanë marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti”, përgjatë shesheve të tjera, deri tek Teatri Kombëtar me parullat “Ngrite zërin se je femër”, “Mëso djalin me respektu, e mësoj vajzën me luftu”, “Dardha pik nën dardhë, dhuna pik nën dhunë” dhe parulla të tjera.

Futja e lëndës seksuale në shkolla si dhe nevoja për psikologë të shkollave ishin dy kërkesat që ata i adresuan Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Nxënësi Eni Aliu nga shkolla e mesme “Sami Frashëri” iu drejtua protestuesve të mbledhur duke thënë se të gjithë ata që kanë parë videon e sulmit seksual ndaj vajzës së mitur janë irrituar, ndërsa raste të tilla ai tha se ka mundur të shohë shumëkush edhe para këtij rasti.

“Kërkesa e parë është kërkesa për futjen e edukimit seksual në kurrikulën e shkollave tona. Ne të gjithë e dimë se sa shumë kjo lëndë është e nevojshme, e sa shumë injorohet nga sistemi dhe institucionet e deritanishme në raport me arsimin në Kosovë. Kërkesa jonë e dytë është për psikologët në shkolla”, theksoi ai.

Në këtë organizim është parë edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Javën e kaluar, në mediat kosovare u publikua një video ku dy nxënës të klasave më të larta të shkollës fillore “Faik Konica” ngacmuan seksualisht në oborrin e shkollës një vajzë të klasës së parë, gjë e cila shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik.

Pas publikimit të lajmit, përmes një reagimi të përbashkët nga Drejtoria e Shkollës, Këshilli i Prindërve dhe Këshilli Drejtues i Shkollës “Faik Konica” bënë të ditur se kanë nisur trajtimin e rastit.