Qeveria Kurti pret ndryshime pozitive për liberalizimin e vizave

Qeveria e Kosovës është duke pritur ndryshime pozitive për liberalizimin e vizave. Zëdhënësi i qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, deklaroi për KosovaPress, se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe se priten zhvillime pozitive.

Z. Kryeziu u shpreh se qeveria Kurti nuk do të bëjë gabimet e qeverive paraprake, të cilët kanë folur në emër të BE-së.

“Kjo qeveri nuk mund të bëjë gabimet që kanë bërë qeveritë paraprake kur kanë folur në emër të BE-së. Ky vendim nuk i takon Kosovës, ndonëse ne punojmë dhe zotohemi se çfarëdo lloj hezitimi që këto shtete kanë në raport me Kosovën t’i adresojë në kohën dhe mënyrën më të mirë”, tha Kryeziu.

Por, njohësit e integrimeve evropiane si mundësi reale për liberalizim të vizave e shohin gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, pikërisht atëherë kur presidencën e Këshillit të BE-së, e merr Franca, e cila është një ndër vendet skeptike.

Kosova ka plotësuar gjitha kriteret për liberalizim të vizave qysh në vitin 2018.

Por, disa vende të BE-së, si Franca, Holanda dhe Danimarka kanë shprehur rezervat e tyre për ndërmarrjen e një hapi të tillë.