Qielli i Maqedonisë së Veriut integrohet në sistemin e patrullimit ajror të NATO-s

Me stërvitjen e sotme ajrore në aeroportin e Shkupit, ku morën pjesë avioni Avax i NATO-s, avionë luftarakë grekë F-16 dhe avioni shtetëror Learjet, u shënua përfshirja e Maqedonisë së Veriut në sistemin e patrullimit ajror të Aleancës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitet u shfaq se si realizohet misioni i patrullimit ajror të NATO-s mbi Maqedoninë e Veriut, ndërsa në ngjarje morën pjesë ministra, deputetë dhe përfaqësues të trupit ushtarako-diplomatik.

“NATO mbron, NATO bashkon dhe NATO forcon”, tha ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, duke theksuar se sot kanë pasur mundësinë të shohin se si këto tre synime dhe detyra të Aleancës po ndodhin realisht para syve të tyre.

Ajo tha se kanë pasur rastin të shohin se si me anëtarësimin në NATO, Maqedonia e Veriut, si anëtarja e 30-të e Aleancës më të fuqishme ushtarako-politike, është më e fortë dhe më e mbrojtur.

“Me këtë ngjarje këtu në aeroportin e Petrovecit mundëm të shohim se si duket misioni i patrullimit ajror të NATO-s mbi qiellin mbi Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që hapësira jonë ajrore të integrohet plotësisht në sistemin e patrullimit ajror të NATO-s dhe nga sot mund të themi se siguria e qiellit tonë është siguria e NATO-s dhe ky është një nga rezultatet më të dukshme që kanë qenë të lidhura me qëllimin tonë strategjik për tri dekada, dhe ai ishte anëtarësimi në NATO”, tha Shekerinska.

Sipas saj, për gati një vit qiejt e vendit patrulloheshin nga Forcat Ajrore Greke, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe që ata nënshkruan me Greqinë.

“Por, me integrimin tonë të plotë ushtarak në NATO, dhe me nënshkrimin e marrëveshjes me NATO-n, ai mision praktikisht është bërë pjesë e misionit ‘Air Policing’ të NATO-s, i cili kryhet jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në një numër më të madh shtetesh anëtare të NATO-s. Tani me këtë ne praktikisht e kemi përfunduar gjithë procesin”, deklaroi Shekerinska.

Shefja e mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut tha se në të kaluarën si shtet kanë treguar se kanë qenë seriozë dhe partner në të cilin mund të mbështeteshin, ndërsa tani janë anëtare dhe aleate ku mund të mbështetet Aleanca.

“Së bashku jemi më të fortë, kjo ishte motoja jonë, motivimi ynë për t’u bërë anëtare e NATO-s. Sot ne mund të shohim se ajo garanci dhe anëtarësimi do të thonë siguri më e madhe për të gjithë qytetarët tanë, si në tokë, ashtu edhe në ajër”, shtoi Shekerinska.

Komandanti i Qendrës së NATO-s për Operacione të Kombinuara Ajrore në Torrejon, gjenerallejtënant Fernando De La Cruz Caravaca, theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të jetë krenare që bashkëpunon me vendet e tjera të NATO-s.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut avancon stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

“Që nga viti 2020, kur Maqedonia e Veriut u anëtarësua zyrtarisht në NATO, ju keni qenë në gjendje të përshtateni me Aleancën, duke përfshirë një sërë procedurash të reja. Dhe tani keni arritur rezultate. Duhet të jeni krenarë për punën tuaj. Jam i bindur se do të ruani të njëjtin nivel suksesi për të mirën e të gjithë kombeve tona”, tha gjenerali De La Cruz Caravaca.

Sipas qeverisë së Maqedonisë së Veriut, patrulla ajrore e NATO-s është një pjesë kyçe e mbrojtjes kolektive, e cila shërben si shtyllë e Aleancës dhe siguron të njëjtin standard sigurie në qiellin e çdo shteti anëtar. Ky mision nuk fokusohet në kërcënim specifik, por është një nga mjetet bazë për ruajtjen e sigurisë së NATO-s. Nëpërmjet mbikëqyrjes dhe patrullimit të vazhdueshëm ajror, avionët e NATO-s mund t’i përgjigjen të gjitha llojeve të pasigurisë në qiellin e Aleancës në vetëm pak minuta.