Rama: Negociatat për Shqipërinë nuk do të hapen dhe është faji i Bullgarisë

Kryeministri Edi Rama tha se nuk pret samiti i BE-së javën e ardhshme t’i hapë rrugën Shqipërisë për të nisur bisedimet e anëtarësimit dhe për këtë fajësoi Bullgarinë.

Në një intervistë për Politico.eu, Rama u shpreh se të gjitha qeveritë e BE-së ranë dakord që në mars 2020 t’i japin Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dritën jeshile për të filluar bisedimet e anëtarësimit. Por sipas tij, negociatat nuk kanë nisur ende pasi Bullgaria këmbënguli se donte lëshime nga Maqedonia e Veriut në mosmarrëveshjet dypalëshe që prekin gjuhën, historinë dhe identitetin.

Megjithëse bllokada e Sofjes vlen vetëm për Maqedoninë e Veriut, BE-ja ka favorizuar trajtimin e ofertave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut së bashku, kështu që edhe Shqipëria është në fakt e bllokuar, shkruan Politico.eu.

Kancelari gjerman Olaf Scholz vizitoi Bullgarinë javën e kaluar në një përpjekje për të kapërcyer bllokadën e Sofjes përpara samitit të Brukselit, që zhvillohet të enjten dhe të premten e javës së ardhshme. Por, në një intervistë për Politico.eu, Rama e bëri të qartë se ishte pesimist.

“Nuk kam asnjë pritshmëri. Unë mendoj se asgjë nuk do të ndodhë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të hapin zyrtarisht bisedimet për të pasur anëtarësim”, tha ai.

I pyetur nëse ndonjë lider i BE-së kishte sinjalizuar se bisedimet mund të fillojnë së shpejti, Rama u përgjigj: “Çfarë sinjalesh mund të japin? Nuk ka të bëjë me ta. Përsëri, bëhet fjalë për Bullgarinë. Të gjithë janë dakord, të gjithë mbështesin, të gjithë mendojnë se kjo duhet të ndodhë, dhe kjo duhet të kishte ndodhur tashmë. Por kufiri i tyre i manovrimit është i kufizuar nga Bullgaria”.