Rusia dhe Turqia diskutojnë krijimin e vaksinës për COVID-19

Shkencëtarët dhe ekspertët rusë dhe turq do të zhvillojnë konsultime për të shkëmbyer njohuritë e tyre mbi këtë temë

Rusia dhe Turqia diskutuan angazhimin e përbashkët për zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit të ri (COVID-19) dhe produkteve diagnostikuese për të zbuluar infeksionin në fazat e hershme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shefja e shërbimit rus për mirëqenie njerëzore, Anna Popova, dhe zv/ministrja turke e Shëndetësisë, Emine Alp Meşe, përmes videokonferencës shkëmbyen përvojë në luftën kundër COVID-19, njoftoi Shërbimi Sanitar Rus përmes një kumtese të publikuar në faqen e internetit.

“Palët vunë në dukje se një seri masash anti-pandemike zbatohet gjerësisht në Rusi dhe Turqi, gjë që bën të mundur parandalimin që situata të zhvillohet në skenar negativ. Në dy shtetet, ekziston një prirje rënëse në normën e rasteve të reja të infektimit me koronavirus”, thuhet në deklaratë.

Meşe shprehu gatishmërinë për të punuar së bashku me Rusinë në zhvillimin e vaksinave për COVID-19, thuhet gjithashtu në kumtesë, duke shtuar se shkencëtarët dhe ekspertët rusë dhe turq do të zhvillojnë konsultime për të shkëmbyer njohuritë e tyre mbi këtë temë.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur pandemi globale.

Sipas të dhënave nga Universieti “Johns Hopkins” me qendër në SHBA, numri i të infektuarve me këtë virus ka tejkaluar shifrën 5,15 milionë, me mbi 335 mijë të vdekur dhe pothuajse 2 milionë të shëruar.