Sekuestrimi i 400 kg kokainë në Kosovë, kryeprokurori: Droga, me vlerë 20 mln euro

Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi tha në një deklaratë zyrtare në lidhje me sekuestrimin e 400 kilogram kokainë në qytetin e Lipjanit se vlera e drogës kapte shifrat e 20 milionë eurove nëse do të dilte për shitje në treg.

“Prokuroria e Kosovës ka thirrur sot për aksionin për sekuestrimin e rreth 400 kg narkotikëve. Dëshiroj të falenderoj pjesëmarrjen në konferencë. Ju njoftojmë se me urdhër të prokurorisë speciale të Kosovës dhe në bashkëpunim me policinë e Kosovës, autoritetet italiane dhe ato të Shqipërisë sot janë ndërmarrë masa dhe veprime që kanë rezultuar me konfiskimin e 400 kg kokainë, vlera e të cilave arrin në 20 mln euro dhe janë sekuestruar një sasi e të hollave veturave dhe sendeve të tjera.

Gjatë fazës së hetimeve janë përdorur masa të fshehta ku kemi përcjellë lëvizjen e narkotikëve për në Itali, pastaj në Durrës dhe deri në arritjen e destinacionit në Kosovë. Kemi vërtetuar porositë e qarta për të gjitha grupet kriminale se do të përballen me drejtësinë.

Në këtë rast kemi bashkëpunuar me partnerët tanë duke parë që krimi i tejkalon kufijtë e shtetit tonë. Më lejoni të falenderoj prokurorët e prokurorisë së Shqipërisë, autoritetet italiane. Kjo ishte sfidë dhe detyrim për të luftuar krimin e organizuar”, deklaroi ai