Tregu i monedhave virtuale, eksperti: Kujdes me investimet në kriptovalutë

Programuesi Manaj, bën apel që të tregohet kujdes tek investimet në monedhat dixhitale pasi nuk garantohet asnjë siguri.

Gjithnjë e më shumë në botë po flitet për kriptovalutat dhe e izoluar nga ky fenomen nuk mund të qëndronte as Shqipëria. Pak ditë më parë policia zbuloi rastësisht pajisje për prodhimin e monedhave virtuale ndërsa ekspertët thonë se në vendin tone, ky trend sapo ka nisur, ndërkohë që nuk ka një bazë ligjore për lejimin ose jo të tyre.

Monedha virtuale është një formë e parregulluar e parave dixhitale, e pa emetuar dhe e pa garantuar nga një bankë qendrore, e cila mund të veprojë si mjet pagese. Kriptomonedha ka filluar të tërheqë edhe investitore nga Shqipëria ndërsa Banka e Shqipërisë dhe autoriteti mbikëqyrjes financiare bëjnë me dije se nuk ekziston asnjë subjekt financiar i licencuar për tregtimin e monedhave virtuale.

“Kemi një përqindje shumë të vogël ndërsa Kosova është pak më para se ne, por edhe ne jemi duke u rritur si trend që bëjmë mining. Mining quhet ky proces që bën prodhimin e këtyre monedhave”, shprehet Kadri Manaj, programues dhe ekspert IT.

Programuesi Manaj, bën apel që të tregohet kujdes tek investimet në monedhat dixhitale pasi nuk garantohet asnjë siguri.

Bitcoin e cila është kriptomonedha më e famshme u shpik nga një programues i panjohur duke u përhapur për herë të parë në një softuer në vitin 2009, ku vlera e një Bitcoin ishte 0.05 dollarë ndërsa sot një i tillë vlerësohet rreth 50-60 mijë dollarë. /euronews