Shqipëri, TIKA vazhdon mbështetjen për familjet në nevojë

Pjesë e projektit të TIKA-s janë dhjetëra familje që kanë fëmijë jetimë, për të cilat janë shpërndarë fidanë të ullinjve dhe plehra kimike...

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka shpërndarë fidanë të ullinjve për familjet në nevojë në Qarkun e Elbasanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e projektit të TIKA-s janë dhjetëra familje që kanë fëmijë jetimë që mbështeten nga Fondacioni ALSAR, për të cilat janë shpërndarë fidanë të ullinjve dhe plehra kimike.

I pranishëm gjatë shpërndarjes ishte edhe Ali Kurt, inxhinier i bujqësisë pranë zyrës së Evropës Jugore dhe Ballkanit në TIKA, për AA tha se shpreson që ky projekt të shërbejë për të mirë për popullin shqiptar.

“Pema e ullirit prej qindra vitesh përdoret nga njeriu si një burim ushqimi. Edhe ne përmes këtij projekti shpresojmë që të bëhemi një derë të ardhurash për familjet me jetimë këtu. Këto familje në të njëjtën kohë duke kultivuar këto pemë do të ushqehen nga frutat e tyre apo do të fitojnë duke shitur vajin e tyre. Madje do të jetë një burim të ardhurash edhe për nipërit e tyre në të ardhmen”, tha Kurt.

Nënat pjesëmarrëse, duke shprehur falënderimet për shtetin turk, për AA theksuan se Turqia ofron ndihmë sa herë që kanë nevojë.

Dorina Kushi tha se ulliri sjellë paqe dhe mirësi.

“Falënderojmë shtetin turk edhe TIKA-n për gjithë mbështetjen që iu jep jo vetëm nënave që janë kryefamiljare, por edhe fëmijëve që ndryshe kanë një dorë ose shpatull për të zëvendësuar prindin që u mungon”, tha Kushi.

Një tjetër kryefamiljare që u mbështet nga TIKA ishte edhe Sadete Tashi, e cila duke falënderuar shtetin turk për mbështetjen, tha se, “Për ne është një ndihmesë shumë e madhe. Na gjendet pranë (Turqia) dhe për çdo gjë na ka mbështetur”.

Projekti përfshin ndihmën për gjithsej 50 familje në disa qytete të Shqipërisë me 4.000 fidanë të ullinjve dhe plehra kimike, ndërkohë gjatë ditës së sotme u shpërndanë fidanë dhe plehra kimike për 25 familje.