Shqipëria dhe Bullgaria memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e turizmit

Memorandumi u nënshkrua mes Ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj dhe zëvendëskryeministren bullgare për Politikat Ekonomike e Demografike dhe ministren e Turizmit, Mariyana Nikolova...

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, po zhvillon një vizitë në Bullgari, ku gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministren bullgare për Politikat Ekonomike e Demografike dhe ministren e Turizmit, Mariyana Nikolova, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, takimi u fokusua në diskutimet mbi nevojën dhe hapësirat që kanë të dy vendet për të inkurajuar edhe më tej bashkëpunimin në fushën e turizmit.

“Duke synuar të konsolidojnë marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, të kontribuojnë zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e potencialit turistik, në fund të takimit, të dy ministrat, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e turizmit”, theksohet në njoftim.

Gjatë ditës së djeshme, Cakaj u takua edhe me zëvendëskryeministren e parë për Reformën në Drejtësi dhe ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zakharieva, duke nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ujërave.

Ministri Cakaj gjatë vizitës në Sofje pritet të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të Bullgarisë.