Trajnerët e zemrave!

Nga Andi Lila

Me qindra e mijëra fëmijë të moshave të ndryshme sot kalojnë orë të tëra të javës duke u trajnuar në fusha sportive, kryesisht për futbollin por edhe në fusha të tjera.

Këto orë nuk janë vetëm përgatitja fizike, teknike apo taktike për tu bërë sportistë, në radhë të parë këto janë orë të investuara dhe përkushtuara për tu bërë burra dhe gra të aftë, të jetojnë me djersën e tyre si njerëz me karakter dhe dinjitet që e duan punën, që e duan të mirën dhe të drejtën kundër të keqes.

Sporti të mëson si të jesh një grup, të sakrifikosh për njeri-tjetrin, te respektosh trajnerët dhe të dish çfarë është komuniteti. Po jetojmë në një kohë ku interneti, televizori dhe showbizi janë helme shumë të mëdhaja për të sëmurur shpirtrat e këtyre fëmijeve, për t’i dembelosur, për t’i bërë të paaftë, për t’i zbukuruar veset dhe gjërat e këqija.

Në këtë epokë, sporti me trajnimin dhe kalimin e kohës me komunitete fëmijësh në drejtimin e profesorëve është si një oaz i rritjes mendore dhe fizike. Oaz që i mbrojn sadopak nga këto helme dhe i bën ata njerëz që fitojnë antitrupa, për tu rezistuar problemeve të medha që sjell kjo epokë. Do ishte ideale që edhe femijë të tjerë që ende nuk kanë zgjedhur të merren me sport, të afrohen në fushat sportive.

E gjithë kjo e mirë ka në bazën e saj përkushtimin e jashtëzakonshëm të trajnerave, përgatitësave që rrinë me orë të tëra të përkushtuar dhe dinë shumë mirë se cfarë mrekullie është sporti, që pikërisht sporti mund të bëjë mrekullinë tek ky brez fëmijësh. Ata e dinë shumë mirë që aty do lindin fëmijë që nesër do jenë e ardhmja e këtij vendi, do jenë futbollistët e ardhshëm të Kombëtares kuqezi apo do kulturohen dhe nesër të jenë doktorët apo inxhinierat e ardhshëm. Ata do jenë njerëzit e mirë të këtij vendi, vlera e shtuar e kombit tonë. 🇦🇱

Prandaj trajnerat po luajnë një rol te jashtëzakonshëm në shoqërinë tonë dhe e meritojnë t’i quajmë “trajnerët e zemrave”!