Vuçiç fton Kosovën në Ballkanin e Hapur: Takimi i radhës të mbahet në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se nisma Ballkani i Hapur është një iniciativë e cila nuk mund të ndalet.

Gjatë fjalës së tij në samitin e zhvilluar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Vuçiç u shpreh se do të krijohen grupe pune për samitin e ardhshëm, për të cilën propozoi që të mbahet në Serbi, teksa ftoi edhe përfaqësuesit e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.

“Kjo është iniciativë e njerëzve që jetojnë në Ballkan dhe kjo është diçka që nuk mund të ndalet. Çdo vit të ketë sa më shumë udhëtarë në vendet e Ballkanit. Do të formohen grupe pune për takimin e ardhshëm, që propozoj të jetë në Serbinë jugore, që do të kujdesen që të tejkalojmë vështirësitë e furnizimit me ushqim, për furnizimet me energji elektrike, se si të ndihmojmë njëri-tjetrin. Janë të mirëseardhur edhe përfaqësuesit e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës”, tha presidenti serb.

Sipas Vuçiç, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë probleme bilaterale me njëra-tjetrën dhe Serbia nuk ka asnjë kërkesë, por kërkon bashkëpunim rajonal.