Turqia dënon vrasjen e shkencëtarit bërthamor të Iranit

Ministria e Jashtme kritikon 'vrasjen e egër' të Mohsen Fakhrizadeh

Turqia të shtunën dënoi vrasjen e shkencëtarit të lartë bërthamor të Iranit Mohsen Fakhrizadeh, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ndiejmë keqardhje që shkencëtari iranian Mohsen Fakhrizadeh humbi jetën si rezultat i një sulmi të armatosur në Teheran. Ne dënojmë këtë vrasje të egër dhe i shprehim ngushëllimet tona qeverisë së Iranit dhe familjes së të ndjerit”, tha Ministria e Jashtme e vendit.

Turqia kundërshton të gjitha llojet e përpjekjeve për të “prishur paqen dhe qetësinë” në rajon dhe terrorizmin, pavarësisht nga autorët ose synimi, thuhet më tej.

“Në këtë drejtim, ne shpresojmë që autorët veprës do të zbulohen dhe do të mbajnë përgjegjësi përpara drejtësisë, kurse ne ftojmë të gjitha palët të veprojnë me mendje të përbashkët dhe përmbajtje dhe të shmangin përpjekjet që mund të çojnë në përshkallëzim në rajon”, tha ministria.

Fakhrizadeh, i cili drejtoi Departamentin e Kërkimit dhe Inovacionit në Ministrinë e Mbrojtjes së Iranit, u sulmua të premten në qarkun Damavand pranë Teheranit. Sulmuesit thuhet se shpërthyen një automjet para tij dhe më pas qëlluan në drejtim të automjetit të tij, duke e plagosur atë dhe të tjerët me të.

Të plagosurit u dërguan me urgjencë në një spital aty pranë, ku Fakhrizadeh përfundimisht iu nënshtrua plagëve të tij.

Presidenti i Iranit Hassan Rouhani u bashkua me zyrtarët e lartë të shtunën duke akuzuar Izraelin për vrasjen e shkencëtarit të lartë bërthamor.

Sulmi tërhoqi zemërim në të gjithë Iranin. Një grup i madh protestuesish u mblodhën para zyrës së Rouhanit të premten vonë në Teheran dhe kërkuan hakmarrje të fortë.

Kjo është vrasja e dytë e profilit të lartë të një iraniani që nga janari kur me një sulm ajror amerikan u vra gjenerali Qasem Soleimani në Bagdad.