U shpall ‘non grata’ nga SHBA, reagon ish-kryeministri Sali Berisha

Duke shprehur keqardhje për vendimin dhe duke e konsideruar atë pa asnje bazë konkrete, ju ftoj të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata e juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjaret e mi”, shkruan ish-kryeministri.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar përmes një postimi të gjatë në Facebook pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA.

Në përgjigjen dhënë Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, z. Berisha shprehet se lajmin për ndalimin e hyrjes së tij në SHBA e kishte mësuar nga mediat.

Z. Berisha shprehet se gjatë 30 viteve të tij në politikë nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresë të tij, nga asnjë person, asnjë institucion vendas apo i huaj për abuzim të fondeve publike dhe çfarëdo lloj tjetër korrupsioni.

“Shtoj gjithashtu se gjatë të gjitha viteve të mia në pushtet, por dhe deri me sot, familjarët e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plote ligjet e vendit. Ata deri më sot nuk kanë qenë kurrë nën akuzë nga drejtësia shqiptare apo e ndonjë vendi tjetër.

Duke shprehur keqardhje për vendimin dhe duke e konsideruar atë pa asnje bazë konkrete, ju ftoj të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata e juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjaret e mi”, shkruan ish-kryeministri.

Ish-kryeministri shprehet se  qeveria e tij ka ndërmarrë një luftë të suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e dokumentuar kjo dhe në raporte dhe vlerësime të qeverisë së SHBA, teksa shton se vendimi i fundit nuk mund të lëkundë kurrë admirimin e tij për kombin e madh e mik amerikan.

“Unë kam denoncuar më shumë se kushdo tjetër në këtë vend publikisht brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e drogës, lidhjet e tyre me zyrtarët më të lartë shqiptarë, por edhe të huaj, korrupsionin e papërmbajtur qeveritar në Shqipëri.

Po kështu unë kam mbështetur reformën në drejtësi e te gjitha ndryshimet kushtetuese, por kam kritikuar dhe denoncuar çdo akt të ndërmarrë në kundërshtim flagrant me amendamentet kushtetuese për vendosjen e kontrollit të plotë politik mbi sistemin e drejtësisë”, shkruan z. Berisha.

Ditën e sotme përmes një postimi në Twitter, Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, bëri me dije se ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij nuk do t’u lejohet pajisja me vizë për në Shtetet e Bashkuara, për shkak se ata janë përcaktuar nga DASH si persona që u ndalohet hyrja në vend

Ky vendim sipas z. Blinken u mor nga Uashingtoni zyrtar “për akte korruptive që cenojnë demokracinë në Shqipëri”.