Veliaj: Rikthimi në normalitet, çështje muajsh!

Veliaj flet për faljen e gjobave dhe fushatën: Largime nga puna? Kush voton PS, i them se më 26 prill…!

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh edhe drejtues politik i PS në kryeqytet, foli këtë mëngjes në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, në News24, për fushatën elektorale.

Veliaj tha se kjo është një nga fushatat më të qeta, që ka parë ndonjëherë, ndërsa shtoi se shumica e qytetarëve tashmë kanë hequr dorë nga fushatat e viteve 1990.

“Rilindja e Shqipërisë është destinacioni, mjet është partia. Kjo është një nga fushatat më të qeta që kam parë ndonjëherë. Një pjesë e tubimeve janë spostuar online, edhe për shkak të koronavirusit. Shumica e popullsisë janë shumë të emancipuar, por sigurisht që kanë ngelur ca që bëjnë fushatë si në vitin 1996. Por është çështje kohe që të kalojnë të gjithë në shekullin e ri, për të lënë pas vitet ’90, tollovinë e atyre viteve”, tha Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku foli për vendimin e bërë publik një ditë më parë, kur tha se janë falur 988 gjoba të vëna për ato familje që pas tërmeteve të datës 21 shtator dhe 26 nëntor 2019 filluan të ndërtojnë pa marrë lejen e nevojshme, duke thënë se ky vendim nuk ka lidhje me zgjedhjet.

“Vendimi për falje gjobash është marrë që në tetor të vitit të kaluar, kur nuk kishte zgjedhje. Është një përsëritje copy-paste e një vendimi që ne morëm dhe vjet. Unë besoj që kjo do të jetë hera e fundit, viti tjetër do të jetë pa pandemi. Është çështje muajsh rikthimi në normalitet. Është e gjitha rutinë, siç ishte rutinë edhe hapja e një rruge me emrin Sokol Olldashi, me emrin Bashkim Fino, apo me emrin Arjan Sala. Disa vendime ishin në kontekstin e ngjarjeve që kanë ndodhur, disa të tjera, si falja e gjobave dhe amnistia publike, ishin vendime rutinë. Nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet”, u shpreh ai.

I pyetur lidhur me shqetësimin për përdorimin e administratës në fushatë, Veliaj u shpreh se “Sigurisht që më janë shtuar orët e punës. Mbarova mbrëmë në mesnatë një emision dhe jam këtu sërish sot para se të nis orarin e punës. Unë besoj që ky është një vend i lirë. Ne problem kemi nga ata që flenë e nuk bëjnë asnjë punë, jo nga ata që punojnë. Nga ata që bëjnë dy-tre angazhime nuk ka keq. Ne kemi aty edhe njerëz që të kohës së Lulzim Bashës, respektoj faktin që jemi në të njëjtin vend pune, por që bëjmë fushata të ndryshme. Do jetë fushata e parë që ne do të shpëtojmë nga klasat me dy turne. Infermierët dhe mjekët kanë pasur rritje rroge 40%, absolutisht e merituar. Për dikë që premton të ulë taksën e oligarkëve, praktikisht nga diku do të dalin këto lekë. Njerëzit mendojnë më shumë për xhepin e tyre, se për partitë. Unë besoj se kush voton PS, ka një garanci se më datë 26 janë të gjithë nëpër punë, nuk ka thirrje për largime nga puna”.

(BalkanWeb)